Rama: Kemi trefishuar ndihmën ekonomike

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “qeveria ka 3-fishuar ndihmën ekonomike”.

“Sot ndihma ekonomike është shumë pak, nuk diskutohet, por është 2-3 fish më shumë i asaj që ishte, donim ta bënim më shumë, por këto janë mundësitë”, – tha Rama.

Në bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Rama duke iu përgjigjur studentëve theksoi se “ne kemi bërë një listë për të verifikuar familjet që janë në kushte ekstreme varfërie, dhe po ju them që janë shumë pak krahasuar me masën tjetër”.

“Së pari, ideja se këtu ka një varfëri nga të katër anët, dhe nuk kanë njerëzit bukë të hanë është një ide komplet e shtrembër. Po të ishte ashtu, ato që i shikojmë në televizor do i shikonim rreth rrotull. Po të hedhim sytë rreth e rrotull në lagje është shumë e vështirë të gjejmë raste të atilla”, – tha Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se “tek pjesa e atyre shtëpive që po e bëj edhe vetë, e bëj për të sensibilizuar të tjerët, por ato raste janë shumë pak në Shqipëri”. /k.s//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.