TIRANË, 15 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Duhet një brez i ri politik dhe një elitë e re për vendin”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Partia Demokratike zhvillon sot zgjedhjet për 265 anëtarë të Këshillit Kombëtar, ndërkohë që deri më tani, nga 350 kandidatë kanë ngelur vetëm 347, pas tërheqjes nga gara të tre prej tyre.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Basha mbështeti fillimisht qytetarët që protestojnë, si ata që protestojnë kundër ndërtimit të Teatrit, studentët dhe banorët e Astirit.
Rinia studentore, tha Basha, ka flakur inercinë e mosveprimit e heshtjes duke na dhënë shembull. Basha tha se Shqipëria ka nevojë për një politikë perëndimore dhe jo për parulla dhe predikime sipërfaqësore. “Kjo s’është e lehtë, as e pamundur”, shtoi ai.
Detyra morale e PD-së, vijoi Basha, ” është ndarja nga e keqja dhe përgatitja e kalimit të politikës tek një elitë e re”.
Sipas tij, “PD është duke përgatitur një tjetër reformë për të gjithë kandidatët e saj që do të konkurrojnë nëpër poste publike”.
“Reforma tjetër që ne kemi ndërmarrë është pikërisht ajo e filtrimit të kandidatëve që duan të konkurojnë për poste publike. Ne po ndërtojmë mekanizmin e vlerësimit paraprak për të gjithë ata që duan të konkurojnë për kandidatë për poste publike. Ky vlerësim paraprak do të garantojë që në zgjedhjet primare në parti të marrin pjesë vetëm ata që kanë formimin e duhur demokratik, kanë integritet moral dhe aftësi për t’i shërbyer interesit publik”, tha Basha.
Për këtë, vijoi ai, “ne po marrim praktikën më të mirë britanike, të cilën po e zbatojmë me mbështetjen dhe ekspertizën e ekspertëve të Partisë Konservatore britanike”. “Ndihmë të vyer po japin në këtë proces tashmë prej vitesh kristiandemokratët gjermanë dhe së shpejti edhe Instituti Republikan Amerikan. Partia jonë do të tërheqë të gjithë ata që përqafojnë vlerat dhe misionin e saj, por do t’i ofrojë vendit njerëzit me përgatitjen dhe integritetin më të lartë”, u shpreh Basha./m.m/











