TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Studentët vijojnë sot protestën në ditën e 11-të përpara Kryeministrisë.
Fillimisht ata nisën grumbullimin në fakultetet përkatëse të Universitetit të Tiranës, atij Politeknik dhe të Mjekësisë dhe më pas nisën marshimin drejt bBulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’iu bashkuar grupit të vogël të protestuesve që kanë kaluar natën përpara Kryeministrisë.
Me parulla dhe thirrje për realizimin e 8 kërkesave nga qeveria, protesta nisi si çdo ditë rreth orës 10:00, ndërsa sot nuk po protestohet më te Ministria e Arsimit.
Të mërkurën dhe të enjten protesta u zhvillua në tre sheshe: përpara Ministrisë së Arsimit, Kryeministrisë dhe “Zogut të Zi”, ndërsa ditën e djeshme protestuan edhe përpara Kuvendit.
Studentët kërkojnë realizimin e 8 kërkesave që i kanë vënë qeverisë, ndonëse Kryeministri Edi Rama i ka ftuar vazhdimisht për dialog në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.
Kërkesat e studentëve:
1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2. Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online.
3. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe ]do fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19.
7. Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8. Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve. /m.m/ /a.g/











