TIRANË, 12 dhjetor /ATSH- A. Fortuzi/-Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e pranishme në punimet e Konferencës së Gjyqtarëve, nga ku pritet të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit tha se mbështetja e qeverisë për të vijuar Reformën në Drejtësi është e pandryshuar dhe e plotë.
Gjonaj theksoi se ngritja e dy institucioneve të reja, KLP e KLGJ janë thelbësore për të kaluar në stadin tjetër të Reformës në Drejtësi, ndërsa shtoi se paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga muaji tjetër dyfishohet.
“Dje mbledhja e përgjithshme e prokurorë zgjodhi përmes një shembulli model për demokracinë gjashtë anëtarët e KLP. Sot keni radhën ju. Kam besimin se ashtu si prokurorët edhe ju do jeni në gjendje për të vendosur themelet e shëndosha të sistemit të ri të drejtësisë”, tha Gjonaj.
“Gjatë këtyre katër viteve morëm rrugën e vështirë të reformimit të sistemit të drejtësisë për të rikthyer besimin e publikut te ky sistem. Me gjithë vështirësitë dhe kundërshtitë, sot jemi më pranë se kurrë hapjes së një faqeje të re të sistemit të drejtësisë në Shqipëri për të kthyer në një sistem të pavarur e të paanshëm”, vijoi ministrja e Drejtësisë.
“Sot ju me mbledhjen tuaj do i jepni jetë Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Shpresojë fort që të gjithë kemi mësuar shumë nga e shkuara, duke reflektuar mbi problematikat e vërejtura nga KLD, kemi ndërtuar kuadrin e nevojshëm ligjor që KLGJ të garantoj pavarësinë reale të gjyqësorit dhe mbrojtjen e gjyqtarëve, si edhe promovimin e tyre sipas standardeve të duhura për llogaridhënien dhe integritetin e gjyqtarëve në shërbim të ligjit e qytetarëve”, tha Gjonaj.
“Në emër të qeverisë dhe ministrisë së Drejtësisë, shtoi Gjonaj, rikonfirmojë edhe njëherë vullnetin për të vazhduar reformën në drejtësi në një stad tjetër. “Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi punuar që logjistika dhe mbështetja financiare të jetë e plotë. Duke nisur nga muaji tjetër hyn në fuqi sistemi i ri i pagave për gjyqtarët e prokurorët, duke dyfishuar pagat tuaja dhe garancitë të tjera financiare”, tha Gjonaj.
“Ju bëjë me dije se KLGJ dhe KLP kanë tashmë në dispozicion godinën e re ku do të nisin punët e tyre. Dëshiroj të falenderoj përfaqësuesit e SHBA dhe BE që po ndjekin me përkushtim këtë proces, duke ndihmuar përmes “OPDAT” dhe “EURALIUS” për rregullat dhe fletën e votimit për të pasur një proces sa më transparent e të përgjegjshëm. Falënderim edhe për Kreun e Gjykatës së Lartë për kontributin e dhënë për jetësimin e kësaj mbledhje”, përfundoi Gjonaj.
Gjyqtarët janë mbledhur sot për të zgjedhur trupën që do të përbëjë Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Gjatë ditës së martë u kompletua Këshilli i Lartë i Prokurorisë, teksa sot pritet të nis puna dhe të votohet për të ngritur Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Këto dy institucione janë pjesë e paketës së re të drejtësisë së Reformuar, që i hapin rrugë krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Prokurorisë Speciale (SPAK). Ky institucion ka një rëndësi thelbësore, pasi do ketë si qëllim hetimin e zyrtarëve të lartë”.
Ashtu si në KLP, edhe sot në garë janë 10 gjyqtarë, të cilët do të sfidojnë njëri-tjetrin për gjashtë vende në këtë institucion. Në procesin e zgjedhjes së gjykatësve do të jenë të pranishëm edhe nga përfaqësia e trupit diplomatik në Shqipëri. /a.g/






















