Ballina Aktualitet

Rama mbështetje kërkesës së studentëve për tarifat

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Tarifat janë produkt i autonomisë universitare, ndërsa qeveria ndërhyri direkt duke hequr VKM-në, dhe duke plotësuar kështu kërkesën e arsyeshme të studentëve”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i ftuar përballë studentëve në studion e emisionit Top Show. Kryeministri Rama u ndal te kërkesat e studentëve, të cilët prej ditësh ndodhen në protestë, duke ripërsëritur ftesën për dialog.

Rama ritheksoi se ato i vendosin universitetet, ndërsa qeveria vendosi tavanin sepse kur u bë tentativa e parë për tarifat, tarifat e sjella nga universitetet ishin shumë më të larta dhe atëhere qeveria tha jo për ato tarifa, duke vendosur tavanin.

Kryeministri theksoi se çështja e heqjes së VKM-së ishte një çështje për të cilën mund të merrej vendim, ashtu siç edhe u mor, dhe nuk kishte nevojë për dialog.

“U hoq edhe pikë, por këtu ka dy pikëpyetje të mëdha. VKM ka dalë në maj, jo sot, dhe atje ka ndodhur diçka shumë e çuditshme. Ka dalë një lajmërim që u është thënë se duhet ta paguani tarifën të gjithë tani. Kjo ka elektrizuar të gjithë dhe pa pritur del përpara një lajmërim i pamiratuar nga bordi dhe u thuhet se ju nuk do ikni pas paguar edhe gjithë këstin tjetër”, – tha Rama.

VKM, tha Rama, ishte diçka për të cilën nuk më dëgjoi njeri të thosha: hajde dialogojmë. “E dëgjova si kërkesë dhe ministrja më shpjegoi se ka dalë në maj, si rezultat i kërkesës unanime të universitetit. Nikolla asnjëherë, nuk ka sjellë në qeveri diçka pa marrë miratimin e rektorëve dhe dekanëve”, – tha Kryeministri.

“Sigurisht që tarifat janë problem për disa arsye, tarifat nuk janë shpjeguar asnjëherë pse janë aq, dhe pse nuk janë ndryshe. Ato janë produkt i universitetit, i kërkesës së madhe kur erdhëm në qeveri për autonominë. Autonomia nuk është pa përgjegjësi, por përgjegjësi për të cilën ti kërkon lirinë e nevojshme”, – tha Rama. Tarifat për studentët janë një pjesë e kostos, tha Rama, pasi çdo studenti qeveria sot i financon afërsisht 75 % të kostos së studimit.

/a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Kërkesat e studentëve të arsyeshme, opozita presion që të mos dialogojnë
Artikulli tjetërTarifa zero për studentët me mesatare 9-10 dhe bursa për konviktorët