Tarifa zero për studentët me mesatare 9-10 dhe bursa për konviktorët

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH- I.Vata/ Jam i gatshëm të bëj më shumë se kaq për studentët, por për studentët me nota 9-10, tarifa zero dhe bursa për studentët që jetojnë në kushte mizerabël në konvikte”, – tha Kryeministri Edi Rama në debat me studentët në emisionin “TOP SHOW”.

Kryeministri Rama u shpreh se jam i gatshëm të bëj këto dhe më shumë se kaq, por në të njëjtën kohë di një gjë shumë mirë.

“Aty ka disa pika, dhe unë mund të them shumë mirë pse m’i keni sjellë mua? Me komunikimin brenda universitetit s’kam lidhje. Me tarifat gjëja e parë që të shkon në mendje është çfarë kanë këta me qeverinë, pse nuk shkojnë te rektorët, se ata i kanë tarifat. Tavani është vënë që nuk mund të kalosh me lart, por më poshtë mund të shkosh”, – tha ai.

Kryeministri shtoi se “qeveria financon për çdo kosto tuajën pjesën më të madhe. Për tarifat ne do të bëjmë një diskutim. Studenti që është 9-10 t’ia bëjmë zero. Studenti ekselent i hiqet barra prindërve. Ata që marrin notën 9-10 që jetojnë në ato kushte mizerabël në konvikt, pse mos të kenë një bursë që ta japi qeveria?”

Duke folur për protestën e studentëve dhe mosreagimin e qeverisë më parë, Kryeministri Rama tha se “demokracia këtë ka pjesën e vet më të bukur, pjesën që qeveria nuk është oborri mbretëror që i di të gjitha, por grupet e interesit kanë vullnetin për të çuar përpara një ide, mund ta vendosin ato në rendin e ditës dhe studentët e vendosën në rendin e ditës dhe ne po e shikojmë nga afër. Demokracia nuk është e qeverisë, por e çdo qytetari”.

Kryeministri i përgjigjet kërkesës së Lëvizjes për Universitetin që kërkon arsim falas.

“Ajo struktura e Lëvizjes për Universitetin kërkon gjëra që nuk plotësohen, arsim falas për të gjithë nuk ka”, tha Kryeministri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.