TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Bashkia e Fierit po vijon me intensitet investimet për rehabilitimin e sistemit kullues, duke ripërtërirë sipërfaqe të tëra tokash bujqësore.
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh sot se “aktualisht punimet po vazhdojnë në njësinë administrative Qendër”.
“Me rehabilitimin e sistemit kullues jemi duke ripërtërirë sipërfaqe të tëra tokash bujqësore që prej vitesh kanë qenë me një rendimet nën mesatare”, tha Subashi.
Ndërhyrja rrënjësore te kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhet në gjithë fushën e Myzeqesë.
Në këtë mënyrë sigurohet që fermerët e fushës së Myzeqesë të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.
Po ashtu, hapja e rrugëve të parcelave është një tjetër element që ecën paralel me sistemin e kullimit dhe vaditjes, në shërbim të fermerëve, prodhimit bujqësor dhe lehtësisë sipërmarrëse.
Në total për periudhën 2016- 2018, janë rehabilituar 338 044 ml kanale kulluese, duke bonifikuar rreth 25 578 ha tokë bujqësore./m.m/j.p/






















