TIRANË, 9 Dhjetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ftoi sot për dialog studentët, të cilët janë në ditën e gjashtë të protestës në kërkim plotësimit të kërkesave të tyre.
Kreu i qeverisë ftoi studentët për dialog live në Facebook, ditën e hënë në orën 11:00.
Rama bën të ditur se pas pak minutash, studentët do të njihen edhe me ftesën, për të marrë pjesë në këtë dialog.
Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm të takohet me studentët protestues për t’i dëgjuar dhe për t’i mbështetur ata në adresimin e shqetësimeve të tyre.
Protesta e studentëve nisi me kërkesën kundër tarifës për provimet e prapambetura, ndërkohë që ata kanë kërkuar edhe përgjysmim të tarifës së studimit, rritje në 50% e votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve, rritje të përfaqësisë së studentëve në bordin e administrimit, mbështetja e studentëve për kërkime shkencore, mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde, përmirësim i kushteve të konvikteve, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë si dhe pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-2019.
/k.s/ /a.g/





















