“Unaza e Madhe”, Basha: Të bashkohemi kundër vjedhjes

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ – “Të qëndrojmë kundër vjedhjes tek “Unaza e Re”, kundër vjedhjes me tarifat e studentëve, kundër vjedhjes në Shkozë, kundër vjedhjes tek Bulevardi i Ri”.

Ky ishte mesazhi që drejtoi pasditen e sotme, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili iu bashkua protestës së banorëve te “Astiri”, që kundërshtojnë prishjen e banesave që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe në Tiranë.

Sipas Bashës, “tek Unaza e Re nuk ka projekt zhvillimi, por ka vetëm projekt vjedhjeje për xhepat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt”.

“Asnjë zhvillim nuk do të sjellë ky projekt për qytetarët e Tiranës apo të Shqipërisë, por vetëm varfërim për buxhetin e shtetit dhe për xhepat e tyre. Taksat, që në vend që të shkonin për përmirësimin e jetës së tyre, po shkojnë për të rrënuar jetën e mbi 1 mijë familjeve”, tha Basha.

Basha tha se “në këtë projekt po harxhohen 48 milionë euro bashkë me TVSH për 2 kilometër”. “Kjo është vjedhja më e madhe e parave të shqiptarëve dhe vjedhja më e madhe e regjistruar ndonjëherë në botë dhe këto para nuk janë destinuar për zhvillim”, tha ai.

Basha shprehu admirimin për kurajon e banorëve, grave dhe fëmijëve, ndërsa theksoi se “PD është dhe do të jetë në krah të tyre për të zmbrapsur vjedhjen”.”Jam dhe do të jem në krah të çdo proteste. Kudo që protestojnë shqiptarët do të jemi në krah të çdo proteste. Rama dhe Veliaj kanë bërë gjithçka për t’i përçarë dhe joshur protestuesit. Protestuesit janë frymëzim se e keqja mundet duke qenë të bashkuar”, – tha Basha.

Revolta qytetare është kudo, tha Basha, duke i kërkuar “studentëve që janë ngritur kundër zhvatjes së xhepave të tyre me tarifat abuzive universitare, që të mos dorëzohen”./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.