TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/- Rikualifikimi urban i bllokut të pallateve në bulevardin “Zogu I” në qytetin e Shkodrës, me vlerë 130 milionë lekë është drejt përfundimit të plotë.
Bashkia e Shkodrës bën të ditur se ditët e fundit është punuar për hedhjen e shtresës së fundit të asfaltit.
Sipas saj, ndërhyrja e realizuar është e plotë, siç ndodh prej 3 vitesh në çdo vepër të bashkisë.
Projekti parashikonte kanalizimet e ujërave të bardha – KUB, ujërave të zeza – KUZ, rrjetin e ujësjellësit, linjat e fibrave optike, asfaltimin, sinjalistikën rrugore dhe ndriçimin.
Banorët shprehen mjaft të kënaqur, pasi në këtë bllok pallatesh nuk është ndërhyrë prej rreth 30 vitesh.
Me zbatimin e këtij projekti do të përfitohen rreth 1950 m2 sipërfaqe rruge e rikualifikuar/asfaltuar, 1950 m2 e ndriçuar, 205 ml kanalizime KUB të rikonstruktuara, 614 m2 trotuare, 65 m2 parking, sinjalistikë e plotë për lëvizshmërinë, 30 m2 gjelbërim. /k.s/j.p/























