TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ – “Milani” ka bërë lëvizjen e parë në merkaton e janarit, teksa para pak javësh siguroi shërbimet e Lucas Paquetas, talentit që aktivizohet me “Flamengon”.
Braziliani do të mbërrijë në Milano për të përfunduar transferimin e tij brenda kësaj jave.
21-vjeçari ka folur pas sfidës së fundit të luajtur me “Flamengon” dhe është shprehur shumë i lumtur dhe entuziast për transferimin te “Milani”.
Gjithashtu Paqueta ka zbuluar numrin që do të mbajë në fanellë, por edhe arsyen që e bindi atë për t’u bashkuar me ekipin kuqezi.
“Do të mbaj numrin 39 mbi shpinë. Është numri me të cilin kam debutuar me ekipin e parë të ‘Flamengos’”, theksoi ai.
“Më ka sjellë fat dhe shpresoj të ndodhi e njëjta gjë te ‘Milani’. Në qoftë se unë kam zgjedhur kuqezinjtë, ka qenë falë Leonardos. Ai më kërkoi dhe më bindi”.
“E kuptova që ‘Milani’ kishte një projekt serioz për mua dhe kjo është diçka thelbësore për një lojtar të ri që vjen në Europë”, theksoi ai.
/gj.m/r.e/






















