SHKUP, 28 nëntor /ATSH-MIA/ – Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi uroi sot 28 Nëntorin, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, vendi që, siç tha ai, është fqinji ynë i drejtpërdrejtë dhe mik i dëshmuar.
”Kjo festë e rëndësishme është e ngulitur thellë në memorien historike kolektive kombëtare dhe në zemrat e të gjithë pjesëtarëve të popullit shqiptar, ndërsa shqiptarët, si pjesë e rëndësishme dhe integrale e Republikës së Maqedonisë janë indi bashkues dhe kontribues i vlefshëm në përparimin dhe zhvillimin e shtetit dhe rajonit”, tha Xhaferi.
”Sot, kur shënohet 106-vjetori prej kur diplomati i dalluar Ismail Qemali, bashkë me delegatë nga qytetet e ndryshme shqiptare e ngriti flamurin kombëtar në Vlorë, shqiptarët, kudo që të gjenden e kremtojnë këtë simbol të rilindjes kulturore kombëtare”, theksohet në urimin e Xhaferit./ a.jor.























