TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ – “Procesi për heqjen e barrierave tarifore – jotarifore është konkretizuar. Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm nuk do të ketë më asnjë lloj barriere tarifore dhe jotarifore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së pestë të përbashkët të zhvilluar sot në Pejë.
“Për shembull një nga elementët, 42 certifikata, dokumente, vetëm në fushën e shkëmbimeve tregtare që lidhen me gjënë e gjallë dhe me produktet e tjera bujqësore do të hiqen, ashtu sikundër do të bëhet një njohje e ndërsjelltë e patentave”, – nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ashtu si do të bëhet e mundur që në pikat e kontrollit kufitar të vlejë vetëm dokumenti i njërës palë, pra kush vjen nga Kosova në Shqipëri mjaftojnë vetëm dokumentet e Kosovës për të hyrë normalisht dhe për të vazhduar për veprimtarinë ekonomike dhe tregtare në Shqipëri dhe anasjelltas”.
Rama e cilësoi këtë një hap të madh shembullor, të cilin theksoi se “ne ia ofrojmë këtë shembull gjithë rajonit”.
“Kjo është gjë që duhet bërë mes të gjitha vendeve të rajonit dhe kush e shikon bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë me sytë e të shkuarës është i ftuar ta shikojë me sytë e të ardhmes. E ardhmja kërkon që të mos këtë barriera tarifore dhe jotarifore”, – theksoi Rama. /k.s/j.p/













