Transformim i logjistikës në Policinë e Shtetit

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/340287773218379/

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Flota e re e makinave të Policisë së Shtetit është dëshmia më e fundit e transformimit të mbështetjes logjistike për këtë trupë.

Janë 134 makina të reja të cilat janë vënë në dispozicion të Policisë së Shtetit dhe që janë shpërndarë në të gjitha qarqet e vendit.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga flota e re e Policisë së Shtetit, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama.

Flota e re e makinave të Policisë së Shtetit, e cila u prezantua të shtunën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, dëshmon transformimin e mënyrës së funksionimit të gjithë procesit për garantimin e mbështetjes logjistike të Policisë së Shtetit.

Në ceremoninë e prezantimit, Rama tha se “kjo është flota e parë e siguruar me një kontratë ndryshe, 4-vjeçare, në bazë të së cilës të gjitha mjetet do të zëvendësohen me të reja pas 4 vjetësh, duke shmangur historitë dhe tenderat e pafundëm të së shkuarës”.

“Ne shmangim imazhin qesharak të një Policie Shteti, që kishte lloj-lloj makinash, me lloj-lloj problemesh, një karneval me trupën që reflekton dinjitetin dhe seriozitetin e një shteti”, tha Rama.

Kjo metodë e garantimit të logjistikës, sipas Kryeministrit, përdoret gjerësisht në vendet e zhvilluara dhe garanton shumë më tepër automjete sesa me tenderat. “Automjetet janë gjithmonë në gjendje funksionale dhe shërbimi i përgjigjet në vijimësi çdo defekti dhe i zëvendëson makinat në kohë reale, në rast se ato kanë një problem”, – tha Rama në ceremoninë e prezantimit. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.