-Shënime-
Paris, 26 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/ – I ndodhur në Paris për arsye pune, përjetova dy ditë më parë orët e stërzgjatura të protestës së 24 nëntorit në kryeqytetin francez.
Prej dy javësh, mijëra protestues kanë dalë në sheshe për të kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit. Por, protesta e të shtunës, vlerësohet të jetë më e ashpra. Në të u përfshinë edhe ekstremistë të së djathtës, ndërkohë që, dhuna e përdorur nga një pjesë e protestuesve detyroi policinë të ndërhynte me gaz lotsjellës dhe ujë, për të qetësuar e shpërndarë turmën.
Instikti i profesionit, më nxiti për të “devijuar” nga programi i asaj dite, që më kishte ngelur e lirë dhe që kisha planifikuar për të vizituar e shijuar disa nga atraksionet më të spikatura të këtij kryeqyteti të artit dhe kulturës botërore.
Nisur nga lajmet e këtyre ditëve, për mua ishin të pritshme ato vërshime të protestuesve në bulevardin e njohur dhe rrugët që e lidhin atë me pjesë të tjera të qytetit. Por, jo në ato përmasa dhe për më tepër, në atë përshkallëzim dhune, që për mua ishte e paperceptueshme. Ishin aktet ekstreme të grupeve të caktuara mes turmës, që bënë të distancoheshin, jo vetëm qytetarë që ndiqnin nga larg gjithçka ndodhte, por edhe një pjesë e atyre që protestonin. Parisi i asaj dite më ngjalli nota trishtimi.
E shtuna, një ditë gri për shkak të motit të vrenjtur, nisi gjithashtu me një atmosferë të tillë. Ndërsa me bashkëshorten gjendeshim pranë Harkut të Triumfit, monumentit që evokon një nga kapitujt më të shkëlqyer të historisë së Francës dhe prej ku merr jetë edhe bulevardi “Champs Elysees”, një grumbull qytetarësh me flamuj kombëtarë u shfaqën nga një prej rrugëve që përfundojnë këtu. Hidhnin parulla dhe drejtoheshin për tutje bulevardit, ku grumbuj të tjerë bashkoheshin nga drejtime të ndryshme. Ishte ora 10:00 dhe qyteti dukej ende i përgjumur…
Ndërkohë, grumbuj të tjerë njerëzish, të rinj e të tjerë të moshave të ndryshme, të veshur me xhaketa fosforeshente, çka ishte edhe një mënyrë identifikimi, vazhdonin të mblidheshin me shpejtësi. Tej, nga skaji ku gjendej sheshi “Concord”, disa qindra metra nga vendi ku ndodhesha, ishte krijuar një grumbull i stërmadh. Zhurma të forta nisën të trazonin prej andej, atë atmosferë ende të fjetur.
Tashmë, Parisi ishte zgjuar, por në një mënyrë tjetër. Ishte ky, preludi i asaj dite, i asaj morie ngjarjesh që do të trazonin tërësisht këtë qytet, banorët e tij dhe mijërat e turistëve që i ndesh rëndom në çdo mjedis.
Instiktivisht, u drejtova për atje ku mendoja se ishte epiqendra e asaj që po ndodhte. Nisa të shkrepja celularin, për të fiksuar sa më shumë nga çfarë shihja. Në fillim me ndrojtje, pastaj tërësisht i lirshëm. Bashkë me turmën që rritej, rritej tek unë edhe ndjesia për të rrokur sa më shumë nga ajo atmosferë. Parisin e shkëlqyer të historisë, të kryeveprave të artit e të kulturës, të skalitur nga Balzaku e Hygoi, po e përjetoja ndryshe. Disa shpërthime, tym i zi dhe në ngjyra të tjera, sirena të policisë, thirrje të forta… Dhe të gjitha këto, nën kupolën gjigante të reve që mbulonin qytetin. Kamerierët e lokaleve përgjatë bulevardit, nxituan të largonin lulet dhe tavolinat nga trotuaret dhe të mbyllnin me nxitim dyert, ndërkohë që shihnin me ankth gjithçka ndodhte më tej.
Nxituam më poshtë. Gardhet e policisë ishin krijuar gjithandej. Ishte një skemë e forcave të rendit, që synonte të lokalizonte hapësirën dhe për të parandaluar lëvizjen e protestuesve në zonat e paautorizuara.
Edhe vitrinat e firmave më të njohura të veshjeve e të modës, dukej se nuk e kishin atë shkëlqimin e zakonshëm. Po ashtu, hotelet luksoze. Ndihej një lloj ankthi ngado. Një ankth që, shfaqej dukshëm. Jo vetëm për shkak të pranisë së mijëra policëve të angazhuar për të mbajtur nën kontroll gjendjen dhe për të mbrojtur disa nga institucionet, apo të makinave të rendit që qëndronin në gatishmëri. Dhjetra kilometra gardhe të improvizuara metalike, të vendosura ngado, dukej sikur e kishin ndarë e parcelizuar këtë pjesë të qytetit. Dukej sikur, gjithçka kishte ndalur.
Ishte e pamundur të vijonim përgjatë bulevardit. Kishte nisur përplasja. Tentuam të ecnim në drejtim të sheshit “Concord”, por një punonjës policie shtatlartë mes dhjetëra kolegëve të tjerë, në anglisht dhe me mirësjellje, na tregoi drejtimin nga duhet të lëviznim. Si ne edhe mjaft turistë të tjerë. Humbi drejtimi i zakonshëm. Hyrjet e metrove pranë bulevardit, ishin të bllokuara. Vargani i gjatë i turistëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës, u zhvendos përgjatë lumit Sena. Ishte një itinerar i pazakontë. Një varg pafund njerëzish, që kishin planifikuar të shkonin në objekte të tilla si, Akademia e Arteve të Bukura, apo sheshi Concord, por nuk mundeshin. Ritmi ishte prishur. Ndërkohë, në lartësi mbi qytet, helikopterë të policisë, dukej sikur e rëndonin edhe më tepër këtë atmosferë. Kryeqyteti në këtë pjesë të tij, ishte në një shtetrrethim të vërtetë. Tuilëritë, Luvri, Notre Dame, janë më tej… por larg, shumë larg.
Vonë, pas orës 18:00, Parisi rinisi të marrë frymë… Në muzg, afrohemi drejt “Champs Elysees”… Gurë të mëdhenj nga kalldrëmi i bulevardit, janë shpërndarë gjithandej. Materiale të forta prej dërrase, të vendosura në rrugë… Xhama të vitrinave të firmave më të njohura, si “Guci”, që janë thyer nga sende të tjera të forta. Është si një pasbetejë… Një turmë protestuesish nga ata të dhunshmit, janë ende diku. Vazhdojnë të bërtasin. Njeri prej tyre, nxjerr një armë zjarri pistoletë dhe e shfaq dukshëm… Dëgjohen ulërima dhe njerëz që vrapojnë të trembur, për t’u larguar. Në protesta, shfaqen edhe elementë të tillë, nga ata që nuk kanë asnjë lidhje me kauzën e atyre që protestojnë. Njeriu me pistoletë ishte njeri prej tyre.
Nxitojmë për në metro. Dyndje. Zhurmë. Të bërtitura. E pamundur të përballohet kjo turmë gjigante. Duhet të presësh dy apo trefishin e kohës së zakonshme, për të përshkuar stacionet që të ndajnë me hotelin.
… Në mëngjes… teksa nisemi me taksi drejt aeroportit “Charles de Gaulle”, taksisti devijon një rrugë. ”Ishte bllokuar nga materialet e lëna nga protestuesit”, thotë ai me trishtim, duke na treguar gjithashtu, disa vitrina të thyera… /k.s/



































