Ballina Aktualitet

Krijohet Banka e Diasporës në Tiranë dhe Prishtinë

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ – Krijimi në Tiranë dhe Prishtinë i Bankës së Diasporës nga rrjetet e biznesit të komuniteteve shqiptare të diasporës shqiptare është një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes së nënshkruar sot mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës.

Iniciativa e ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko për një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës për Diasporën është firmosur paraditen e sotme nga kryeministrat e dy vendeve Edi Rama dhe Ramush Haradianaj në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në Pejë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojnë në kuadrin e funksioneve, qëllimeve dhe juridiksioneve të tyre.

Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës, e cila do të arrihet nëpërmjet ngritjes së disa strukturave të veçanta si: Këshilli i Bashkëpunimit të Diasporës Shqiptare, i cili do të kontribuojë në realizimin e organizimit më të mirë të komuniteteve shqiptare në vendet pritëse dhe Dhoma (Oda) e biznesit të Diasporës në Tiranë dhe Prishtinë, e cila do të shërbejë për të respektuar rregullat e funksionimit të të njëjtit rrjet biznesi në diasporë.

Gjithashtu institucionet shqiptare dhe ato të Kosovës do të angazhohen nëpërmjet televizioneve publike respektive, Radio-Televizioni i Shqipërisë RTSH dhe Radio-Televizioni i Kosovës, që të realizohet një kanal i përbashkët televiziv kushtuar interesave të komuniteteve shqiptare në diasporë, i cili duhet të fillojë transmetimet vitit 2019.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Shqipëria, Kosova dhe rruga e bashkimit të shqiptarëve në horizontin e vitit 2025”
Artikulli tjetërKosova zero tarifë me Shqipërinë, 100% me Serbinë