Ballina Aktualitet

Forcë e re speciale për parandalimin e krimit

TIRANË, 24 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Një forcë e re superspeciale parandalimi do të krijohet në radhët e Policisë së Shtetit, dhe do të merret në mënyrë të dedikuar me personat që kanë precedent penal apo profile kriminale.

“Kemi nevojë për një reagim intensiv dhe të vazhdueshëm ndaj të fortëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të flotës së re të makinave të Policisë së Shtetit.

Kryeministri theksoi se me shpejtësi do të dërgohet në Kuvend, vendimi për krijimin e kësaj force me reagim parandalues, e cila do të ushtrojë përditë presion parandalues mbi këta persona.

Po ashtu, Rama tha se “duhet të finalizohet diskutimin për xhandarmërinë, për të marrë një vendim përfundimtar nëse duhet të krijohet ose jo”.

“Ne duhet të futemi në një proces historik, kalimin në një epokë kontrolli të plotë në fushën e sigurisë edhe zmbrapsjen e plotë të krimit në skutat e veta, me një numër të konsiderueshëm efektivësh nga Policia Ushtarake, por kjo është një temë që meriton debat shterues pa humbur kohë”, tha Rama.

Nëse në 5 vite sfida ishte rikthimi i Policisë së Shtetit në krye të detyrës dhe krijimi i një profili të besueshëm për qytetarët, tani sipas Ramës, “kjo është një sfidë e fituar por përpara kemi një sfidë të dyfishtë”.

“Duhet të jemi shumë më pranë dhe shumë më dinjitoz në funksion të qytetarëve dhe nga ana tjetër të bëjmë të mundur që 3 vitet e ardhshme të jenë vitet e një shkatërrimi spektakolar të krimit të organizuar dhe çdo forme sfidimi të rregullave të bashkëjetesës”, tha Rama. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiratimi i ligjeve të axhendës europiane, SHBA përgëzon Kuvendin e Kosovës
Artikulli tjetër40 milionë euro të sekuestruara në 2017, kundrejt 1 milionë euro në 2013