Penalizime për sipërmarrjet që nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuar

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- Me projektligjin e nxitjes së punësimit, çdo punëdhënës që nuk plotëson numrin e përcaktuar me përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar, do i duhet të derdhë një kontribut në masën 50% të pagës minimale në shkallë vendi çdo muaj për llogari të fondit social të punësimit.

“Programi i qeverisë e ka vendosur fokusin tek punësimi dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës në përputhje të direktivave të Bashkimit Europian, të strategjisë europiane të punësimit si dhe kërkesave që ka BE në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Dëshiroj të nënvizoj sa i takon ndryshimeve të ligjit për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuar: çdo punëdhënes që punëson më shumë se 49 punonjës duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuar për çdo 50 punonjës të personelit të tij. Është një masë që kurrë nuk është zbatuar, arsyet kanë qenë të shumta. Unë jam i bindur që nëpërmjet rregullimit të këtij raporti por edhe të penalitetit që të do të ketë punëdhënësit, besoj do të kemi një përmirësim deri në zbatim të plotë. Punëdhënësi që nuk plotëson numrin e përcaktuar me aftësi të kufizuar derdh një kontribut për llogari të fondit social të punësimit, në masën 50% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuar që ai duhet të kishte punësuar”, – tha ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.