TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në drejtim të reformave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të forcimit të institucioneve demokratike si dhe zhvillimin e Shqipërisë si një aleate më e fuqishme në NATO.
Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda realizoi një takim pune me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Zagreb, W. Robert Kohorts.
Në bisedën e zhvilluar me ambasadorin Kohorts, Poda e falenderoi kolegun amerikan për ndihmën që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e institucioneve demokratike, rolin e madh të SHBA në drejtim të paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe vlerësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të një rëndësie të veçantë dhe strategjike.
Ambasadori Kohorst uroj ambasadorin Poda për detyrën e re. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në drejtim të reformave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të forcimit të institucioneve demokratike si dhe zhvillimin e Shqipërisë si një aleate më e fuqishme në NATO.
Gjithashtu, diplomati amerikan shprehu, vlerësim për angazhimet konkrete dhe kontributet e Shqipërisë në krah të Shteteve të Bashkuara, në një sërë çështjesh dhe sfidash ndërkombëtare, si dhe rolin dinamik dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon.
Të dy ambasadorët shprehën angazhimin maksimal në drejtim të bashkëpunimit të dy ambasadave, për çështje me interes të përbashkët.
/gj.mima/j.p/











