INSTAT: Eksportet u rritën me 21,2% në tetor

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/- Eksportet e mallrave në tetor 2018 arritën vlerën 30 mld lekë, duke u rritur me 21,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 14.8 %, në krahasim me shtator 2018.

“Në dhjetëmujorin e vitit 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 262 mld lekë, duke u rritur me 16,0 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 525 mld lekë, duke u rritur me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 264 mld lekë, duke u ulur me 7,6 %, krahasuar me 2017”, thekson INSTAT.

INSTAT bën të ditur se “rritja vjetore e eksporteve prej 21,2 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 8,8 pikë%, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4,0 pikë%“, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3,1 pikë%. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,2 pikë%”

“Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë rritur me 16,0 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 5,9 pikë%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4,0 pikë%, “Tekstile dhe këpucë” me 2,7 pikë%. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,1 pikë %”, thekson INSTAT.

Po ashtu, INSTAT shprehet se “importet e mallrave arritën vlerën 58 mld lekë, duke u rritur me 1,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 14.0 %, në krahasim me shtator 2018. Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë, duke u ulur me 14,2 %, krahasuar me tetor 2017 dhe rritur me 13,1 %, në krahasim me shtator 2018”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.