Ballina Ekonomi

Ulje drastike e TVSH-së mbi inputet bujqësore

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Qeveria po përgatit një ulje drastike të TVSH-së për inputet bujqësore.

Kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë për fermerët, gjatë prezantimit të buxhetit të bujqësisë për vitin 2019, në Ibë.

“Ne jemi në proces diskutimi dhe nuk e kemi harruar që jemi zotuar për zerimin e TVSH-së për inputet bujqësore. Sot është krijuar mundësia që ne të bëjmë një ulje drastike të TVSH-së mbi inputet bujqësore, duke marrë parasysh faktin që siguria ushqimore është e lidhur edhe me cilësinë e inputeve”, – deklaroi Rama.

Nisur nga fakti se në tregtimin e inputeve ka problematika që lidhen edhe me barrën fiskale, Kryeministri u shpreh se “fermerët janë të prirur të shkojnë drejt rrugëve ‘të shtrembra'”.

Ndaj, tha ai, “jemi duke finalizuar një diskutim, ku besoj do të bëjmë një rikonsiderim të skemës së rimbursimit aktual të TVSH-së që ka rezultuar pozitive, por kryesisht duke favorizuar grumbulluesit”.

“Ne do të bëjmë një rishikim të skemës së TVSH-së për inputet. Për momentin jemi në pikën ku kemi një nivel të arsyeshëm dakordësie për të shkuar në 6 me 6. Pra për ta ulur nga 20% në 6% TVSH-në e inputeve bujqësore dhe për të ulur po ashtu rimbursimin për grumbulluesit, pasi kanë demonstruar një shkallë jo të vogël mungese respekti për skemën, duke mos e ndarë suksesin e skemës me fermerët”, – tha Rama.

Kjo, sipas tij, është ende në diskutim, por deri në miratimin e buxhetit, Rama shprehu bindjen se “qeveria do të arrijë t’i japë fermerëve në gjithë Shqipërinë një lajm shumë të mirë në prag të mbylljes së vitit, për një reduktim shumë të konsiderueshëm të TVSH-së mbi inputet bujqësore”. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSiguria ushqimore në Shqipëri, më e lartë se asnjëherë tjetër
Artikulli tjetërITALI – FMN-ja skeptike për reformat e njoftuara nga qeveria