Ballina Lajme nga Vendi

Parandalimi i përmbytjeve – Bashkia e Fierit forcon argjinaturat e urave

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/- Bashkia e Fierit po punon intensivisht për ngritjen e bordurës së urës në shkarkuesin e Çervenës, si dhe në urën mbi kanalin e Martinës.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, tha sot se “vazhdojmë në urën mbi kanalin e Martinës dhe në forcimin e argjinaturës në Çerven. Orë të gjata pune dhe angazhim i plotë për të kthyer në favorin tonë dhe të qytetarëve, çdo mundësi që na jep moti i mirë dhe koha fizike”.

Sipas tij, po punohet maksimalisht për të evituar çdo rrezik përmbytjeje në ditët me reshje intensive të dimrit që po afron.

Po ashtu, bashkia e Fierit prej shumë kohësh po punon për pastrimin e kanaleve kulluese. Në këtë mënyrë sigurohet që fermerët të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.

Po ashtu hapja e rrugëve të parcelave është një tjetër element që ecën paralel me sistemin e kullimit dhe vaditjes, në shërbim të fermerëve, prodhimit bujqësor dhe lehtësisë sipërmarrëse. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJAPONI – Pence: Marrëveshje tregtare model me Tokion
Artikulli tjetërForca e Ligjit godet në Durrës, sekuestrohen armë dhe municione luftarake