TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Si rezultat i monitorimit me dron të trafikut në akset rrugore, Policia Rrugore ka konstatuar 32 drejtues mjetesh në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Njësia Operacionale e Policisë Rrugore vijon monitorimin me dron të trafikut në akset rrugore.
Duke konsideruar ngarkesën mjaft të lartë të trafikut të mjeteve (shkaktuar prej punimeve në aksin rrugor Fushë-Prezë – Ura e Gjolës), në aksin rrugor Kamëz- Fushë-Krujë – Kurbin, shërbimi i Policisë Rrugore Tiranë dhe Durrës është përforcuar me patrulla të Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore, të cilat po kontrollojnë dhe po kryejnë rregullim trafiku.
Me qëllim garantimin e rrjedhshmërisë së trafikut, shërbimet e Policisë kanë synuar evitimin e parakalimeve të gabuara të mjeteve të drejtuesve të “paduruar”, të cilët shmangen nga rreshti dhe kolona e mjeteve duke u bërë shkak për bllokime dhe vonesa.
Në ndihmë të patrullave të Policisë Rrugore për të evidentuar shkelësit dhe kundravajtësit, janë përdorur pamjet filmike të dronit.
Si rezultat i monitorimit me dron, janë konstatuar 32 drejtues mjetesh për të cilët është proceduar me vendosjen e masës administrative me gjobë “Parakalim i gabuar”, si dhe janë konstatuar në shkelje të dispozitave të nenit 141/5 “Pozicionimi i mjetit në karrexhatë”, drejtues mjetesh për të cilët do të procedohet me pezullimin e Lejes së Drejtimit për një periudhë nga 2-4 muaj nga ana e OASH-ve Tiranë dhe Durrës.
Gjithashtu, janë vendosur 45 masa të tjera, ndër këto 12 lista të praktikave të komisioneve (OASH), nga të cilat 11 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 1 OASH për siguracion të përfunduar, 21 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Drejtoria e Policisë Rrugore apelon për respektim të rregullave të qarkullimit, patrullat e Policisë Rrugore do vijojnë kontrollet me të gjitha mjetet logjistike që kanë në përdorim, me qëllimin e vetëm, rritjen e sigurisë së jetës në rrugë./m.m//e.caushi/























