Miratohet buxheti për Diasporën

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ – Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi nen për nen projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019” për Ministrinë e Shtetit për Diasporën, sa i përket Agjencisë Kombëtare për Diasporën dhe Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Të ftuar në mbledhje ishin ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, Dritan Delija Drejtor i Agjencisë Kombëtare për Diasporën, Soana Jaupllari drejtoresha e Fondit Shqiptar të Zhvillimit të Diasporës, Mirela Thanasi drejtoresha e financës në Agjencinë Kombëtare për Diasporën, Albana Luca drejtoresha e financës në Fondin shqiptar të zhvillimit për Diasporën dhe Yllka Lezo këshilltare e ministrit.

Kryetarja e komisionit, Mimi Kodheli u shpreh se, “edhe gjatë diskutimit në parim keni paraqitur kërkesën për një rritje të fondit në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë për disa të tjera. Do doja që t’i parashtronit edhe njëherë, meqë sot jemi në diskutimin nen për nen. Meqenëse jeni ministër i qeverisë, pavarësisht kërkesave që keni bërë pranë Komisionit, kërkesa të vijë nëpërmjet ministrit të Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë që të zyrtarizohet për ato shtesa fondesh që ju keni kërkuar.”

Ministri i Shtetit për Diasporën, Majko, në fjalën e tij nënvizoi se ky është buxheti i parë i shtetit që ka një fond për diasporën dhe është diskutimi i parë për buxhetin e diasporës në Shqipëri. Gjithashtu Majko propozoi disa të ndryshime, të cilat i konsideroi të nevojshme për agjencinë dhe për fondin për zhvillimin e Diasporës.

“Kemi vetëm disa probleme, të cilat unë po i shtjelloj shkurtimisht. Duke qenë se për agjencitë apo institucionet që përcaktohen nga legjislacioni për diasporën, nga një paketë prej tre ligjesh që është miratuar nga Parlamenti gjatë këtyre muajve, ndryshe nga paraqitja në buxhet, ajo e ka paraqitur në projektbuxhet si një zë për të treja institucionet, përkatësisht për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Qendra e Botimeve për Diasporën. Sipas legjislacionit të cituar këto institucione duhet të jenë me buxhet të ndara, me zë më vete”, theksoi ndër të tjera ministri Majko.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimet e sjella nga Ministria e Shtetit për Diasporën.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.