ROMË, 28 tetor /ATSH-AFP/ – Vala e motit të keq që ka goditur Italinë që nga e diela shënoi pesë të vdekur sot duke shkaktuar mbylljen e një numri të shumtë shkollash, ndërkohë që uji arriti një nivel historik në Venezia.
Dy persona humbën jetë pas rrëzimit të një peme mbi automjetin e tyre jo shumë larg Romës dhe një burrë tjetër vdiq në të njëjtën mënyrë në Terracina, në bregdet në jug të Romës.
Gjashtë rajone të Italisë janë në gjendje emergjence pas valëve të stuhive, shirave të rrëmbyer dhe përmbytjeve që po godasin vendin, bënë të ditur autoritetet.
Rajonet me alarmin maksimal janë Lombardia, Veneto, Friuli-Venecia Giulia, Liguria, Trentino-Alto Adige dhe Abruzzo, me shpejtësi të erës që arrijnë deri në 100 kilometra në orë.
Shkollat në shumë qytete, përfshirë Romën, janë të mbyllura për shkak të motit ekstrem.
Autostrada dhe hekurudha në kalimin e Brennerit janë rihapur pasi u mbyllën për një rrëshqitje të tokës në zonën e kufirit italo-austriak.
Kalimi në mes të Italisë dhe Zvicrës në Sempione, gjithashtu është ende i mbyllur.
Një biznesmen dhe tre punëtorë humbën jetën pas një rrëshqitjeje të tokës, ndërkohë që po punonin për të ndrequr një kanalizim në zonën e Crotones./ /v.b/























