Ballina Kulturë

FOTO/ Kodiku i Purpurt i Beratit ose “Kujtesa e Botës”

TIRANË,16 tetor /ATSH/ – Teksa sot, më 16 tetor 2018, Shqipëria kujton 60 vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar dy dorëshkrimeve të mirënjohura, Beratinus 1 dhe 2, të cilët u bënë pjesë e Regjistrit të Kujtesës së Botës në vitin 2005.

Kodiku i Purpurt i Beratit është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike. Sipas dijetarëve bibliologë dhe paleografë, duke iu referuar teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shekulli i 6-të pas Krishtit. Ai Purpurt i Beratit  renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor.

Kodiku i Purpurt i Beratit është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” (“Kujtesa e Botës”) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të Unesco-s.

Kodiku i Purpurt i Beratit ka 190 fletë, kurse “Beratinus-2” përmban 420 fletë. Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur “Beratinus-2” ose “Kodiku i Anthimit”, po edhe “Codex Aureus Anthimi” – për shkak të germës prej ari që është përdorur, i takon shekullit të 9-të. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Matheut).

Kodikët e Shqipërisë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit të krishterë dhe mbajnë vulën e hapësirës biblike-ekumenike ku kanë jetuar shqiptarët dhe të parët e tyre.

Ato janë burim krenarie për bibliologët, për njohësit e shkrimeve të shenjta e për kishën, por edhe objekt studimi për etno-psikologjinë, për gjuhën dhe teknikën e shkrimit, për kaligrafinë, për artet e zbatuara figurative dhe për ikonografinë. Kodikët janë enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. /a.a/ /a.g/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Kukësi” rigjen Rrumbullakun
Artikulli tjetërFOTO/ Dibër, xhamia e Allajbegisë destinacioni i ”Rrugëve të besimit”