FOTO/ Dibër, xhamia e Allajbegisë destinacioni i ”Rrugëve të besimit”

TIRANË,16 tetor /ATSH/ – Xhamia e Allajbegisë në Dibër, monument kulture i kategorisë së I është një tjetër destinacion i turizmit religjioz, i cili po merr vëmendjen e instituteve dhe specialistëve përkatës për të qenë një atraksion i denjë dhe mikpritës për turistët e huaj dhe vendas.

Specialistët e DRKK-së, Shkodër kanë kryer punime konservuese dhe mirëmbajtjeje në Xhaminë e Allajbegisë, Dibër. Nisur nga teknika e ndërtimit dhe burimeve historike, ky objekt kulti i përket shek. XVI.

Xhamia e Allajbegisë ndodhet në një fushë të hapur pranë fshatit Burim në rajonin e Dibrës. Ajo është ndërtuar në vitin 1578 dhe i takon tipologjisë së xhamive të vogla monumentale me kupolë, minare dhe hajat. Teknika e përdorur e klauzonazhit është një veçori e rrallë për rajonet verilindore të Shqipërisë.

Xhamija e Allajbegisë përbëhet nga salla e lutjeve në formë kubike e mbyllur me një kuve, minare dhe themelet e një portiku të shembur si pasojë e një tërmeti. Dera në anën veriore shërbente për të hyrë në sallën e lutjeve. Mihrabi dhe gjurmë të mimbar janë gjetur në murin jugor të dhomës të ndërtuar me dru.

Salla e lutjeve është mbuluar nga një kupolë në formë sferike. Në muret perëndimore, jugore dhe lindore janë vendosur nga tre dritare në dy rreshta, ndërsa në murin verior ndodhen vetëm në një rresht. Xhamija e Allajbegisë përfaqëson një monument me rëndësi kombëtare i shpallur në vitn 1970 monument kulture i kategorisë së parë. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.