TIRANË, 9 Tetor/ATSH/- Lirimi i hapësirave publike të zaptuara në mënyrë jo ligjore ishte në fokus të punës së nisur mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës.
Aksioni i sotëm u përqendrua në hapësirat në Unazën Lindore, Unazën Perëndimore, në rrugën Dobraç- Rus si dhe në qendër të qytetit të Shkodrës, duke filluar me Pedonalen.
Gjatë këtij procesi është komunikuar me qytetarët, të cilët janë angazhuar për lirimin e hapësirës publike.
Përmes akteve të kontrollit, grupet e punës të përbëra nga inspektori i lagjes përkatëse, Policia Bashkiake dhe inspektorë të rendit të Drejtorisë Vendore të Policisë, Shkodër kanë verifikuar dhe po vazhdojnë punën për verifikimin e shkeljeve, ndërkohë që vetë qytetarët po lirojnë hapësirat publike.
Bashkia e Shkodrës bën të ditur se puna e nisur, do të jetë e përditshme në territorin e këtij qyteti.
Po ashtu bashkia me synimin që të krijojë një ambient të pastër dhe të rregullt, siguri rrugore në të gjitha hapësirat publike të qytetit që mallrat të tregtohen brenda hapësirave të subjekteve dhe në kushte më të mira higjienike dhe mjetet të parkohen në vendet e përcaktuara, i bën thirrje qytetarëve të largojnë mallrat apo objektet e vendosura në këto hapësira, pa ndërhyrjen e forcave të policisë dhe institucioneve të tjera./k.s/j.p/
























