SUNIO (Greqi), 8 tetor /ATSH/ – Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), vlerësoi kontributin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare për pasqyrimin e lajmeve nga Shqipëria si edhe shërbimin e saj fotografik dërguar kësaj organizate, në konferencën e zhvilluar në Sunio (Greqi), më 2-3 tetor.
Në pasqyrimin që Roger Semaan, drejtor i Departamentit të Shërbimit të Internetit dhe atij Satelitor të AMAN-it, i bëri faqes së internetit të kësaj organizate www.aman-alliance.org, u vu në dukje edhe kontributi i agjencive anëtare në mirëfunksionimin e misionit që AMAN ka marrë përsipër.
Agjencia Telegrafike Shqiptare u vlerësua për pjesëmarrjen aktive për pasqyrimin e lajmeve nga Shqipëria si edhe për kontributin e saj për shërbimin fotografik për AMAN-in.
Ndërkohë, gazetarja e ATSH, Zina Tosku u vlerësua me çmimin e dytë në konkursin për lajmin më të mirë me reportazhin e vitit 2017 me titull ”… të etur për një dorë shpëtimi” kushtuar misionit ndërkombëtar të NATO-s për shpëtimin e migrantëve në det, ku mori pjesë edhe Shqipëria me anijen e flotës ushtarake ”Oriku”.
Anëtarë të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) janë agjenci të njohura si AFP, ANSA, ANA, MENA, EFE e tjerë, ndërkohë që me status vëzhguesi janë organizata të tjera të njohura si ajo e agjencive ballkanike, ABNA dhe e Detit të Zi, BSANNA./ a.jor.























