TIRANË, 5 tetor/ATSH/ – Bashkia e Cërrikut po vazhdon punën për pastrimin e inerteve në fshatra.
Gjatë ditës sotme punonjësit e bashkisë punuan për pastrimin e mbetjeve në fshatin Gostimë. Së bashku me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme punonjësit e bashkisë dhanë mesazhe sensibilizuese dhe pastruan disa nga pikat më të nxehta në këtë fshat.
Bashkia e Cërrikut bën të ditur se “situata nuk është aspak e kënaqshme dhe fotot e dërguara nga banorët dhe ato të marra nga specialistët tanë e demonstrojnë këtë. Çdo ditë e më shumë vazhdojmë të tregojmë vullnetin e bashkisë Cërrik për të ndryshuar situatën mjedisore në këtë bashki”.
“Por, qëllimi nuk është vetëm të pastrojmë, por dhe të ruajmë pastërtinë dhe këtë sfidë mund ta arrijmë vetëm së bashku”, shprehet bashkia.
Ndërsa ditën e nesërme aksioni do të përqendrohet në pastrimin e inerteve e të tjera mbetjeve në fshatin Klos. Po kështu në këtë fshat me mjetet e bashkisë do të pastrohet dhe përroi për të shmangur përmbytjet në sezonin e shirave që po afrojnë./k.s/r.e/






























