TIRANË, 27 shtator /ATSH/ -“Dëshmia tronditëse e oficerit të policisë Emiljano Nuhu është pasqyra më e vërtetë e kriminalizimit të thellë të qeverisë”, – deklaroi sot nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka.
Paloka u shpreh sot në një dalje për mediat se, “heshtja e Edi Ramës për skandalin e denoncuar nga nënkomisar Emiljano Nuhu është pjesë e skenarit mafioz për të mbyllur skandalet që ekspozojnë lidhjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë me krimin”.
“Heshtja e kryeministrit të vendit pasi një vajzë është torturuar nga djali i deputetit të vet; Heshtja e kryeministrit për aktet kriminale të deputetit Rrahman Rraja; Heshtja e kryeministrit për sjelljen prej banditi të kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të oficerit të policisë; Heshtja e Edi Ramës, që ka shndërruar Policinë e Shtetit në organizatë kriminale, flet më mirë se asgjë tjetër se ai dhe qeveria e tij është gjysma e bandës në pushtet që mbron bandat dhe banditët që kontrollojnë sot territorin, shtetin dhe policinë”, – tha Paloka.
Sipas tij, “është kriminale sesi drejtuesit e Policisë së Shtetit, nën urdhrat politikë të Fatmir Xhafës dhe Taulant Ballës, nuk kanë vepruar për të mbrojtur as vajzën nën kërcënimin e banditëve me pushtet, as për të mbrojtur nënkomisar Emiljano Nuhu”. /gj.mima/j.p/























