TIRANË, 20 shtator/ATSH/- Këshilli bashkiak i Elbasanit, në mbledhjen e tij të radhës miratoi plan veprimin për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ujitjes dhe kullimit në bashkinë e Elbasanit.
Ky plan veprimi u përgatit nga Agjencia e Shërbimeve Publike, Sektori i Ujitjes dhe Kullimit i bashkisë Elbasan, nëpërmjet asistencës teknike të Programit për Planifikimin e Qeverisjes Vendore në Shqipëri (PLGP) të financuar nga USAID.
Qëllimi i këtij procesi është t’i sigurojë bashkisë Elbasan një vlerësim të situatës, si dhe një qasje më të strukturuar për ndryshimet dhe vendimet që duhen konsideruar menjëherë duke pasur parasysh Reformën Administrative-Territoriale dhe atë në sektorin e ujitjes dhe kullimit.
Plani i veprimit paraqet gjendjen aktuale dhe sfidat kryesore të ujitjes dhe kullimit në bashkinë e Elbasanit.
Ai synon të raportojë aspekte institucionale, teknike dhe financiare; cilësinë e ujit; burimet njerëzore dhe fermerët e shërbyer nëpërmjet nënsektorëve publikë të ujitjes dhe kullimit.
Plani i veprimit gjithashtu do të reflektojë disa rekomandime për të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar funksionin e sapokrijuar të shërbimeve të ujitjes dhe kullimit pranë bashkisë.
Sipas bashkisë ky plan është hartuar në një linjë me misionin dhe objektivat e Strategjisë Kombëtare të Ujitjes dhe Kullimit.
Këshilltarët e miratuan në unanimitet planin e veprimit duke vlerësuar punën e detajuar që është bërë nga specialistët, jo vetëm për një pamje të qartë të gjendjes aktuale, por për hartimin e rekomandimeve dhe një strategjie të qartë që duhet ndjekur për përmirësimin e këtyre shërbimeve. /k.s/j.p/























