ISLAMABAD – Pakistani i kërkon Indisë ringjalljen e dialogut të paqes

ISLAMABAD, 20 shtator /ATSH-DPA/ – Kryeministri pakistanez, Imran Khan po kërkon ringjalljen e dialogut me Indinë, një dekadë pasi bisedimet e paqes midis dy fqinjëve të pajisur me armë bërthamore u pezulluan.

”Khan i dërgoi një letër kryeministrit indian, Narendra Modi në përgjigje të një komunikate që ai mori prej tij”, tha zyra e shtypit e kryeministrit.

“Kryeministri i është përgjigjur kryeministrit Modi me një frymë pozitive. Le të flasim dhe të zgjidhim të gjitha çështjet”, shkruan në Twitter Mohammad Faisal, zëdhënës i kryeministrisë pakistaneze.

Khan ka bërë thirrje gjithashtu për një takim midis diplomatëve të lartë të vendeve në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë muaj.

Ish-kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif, filloi bisedimet e paqes me kryeministrin indian, Inder Kumar Gujral, në vitin 1997, të cilat nuk zgjatën shumë, dhe më vonë  ushtaraku Pervez Musharraf  i rifilloi në vitin 2004, por pa sukses./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.