TIRANË, 14 shtator/ATSH/- “Jam vërtet shumë krenare të përfaqësoja Shqipërinë si një nga 34 projektet fituese këtë vit në 2018 në Bruksel me pjesëmarrjen e 40 vendeve europiane”, u shpreh sot Erviola Konomi, mësuese matematike në shkollën “Zhani Ciko”, në Patos, Fier.
Në takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi me mësuesit e portalit “Mësues për Shqipërinë”, në Tiranë, mësuesja Konomi u shpreh se “Shqipëria renditet si fituese e 34 projekteve europiane dhe padyshim për këtë nxënësit e mi më bëjnë krenarë, unë vetë ndihem krenare për shkollën time dhe natyrisht puna e madhe e kolegëve tanë shqiptarë është në të njëjtin nivel me mësuesit e tjerë europianë”.
Duke folur për kurrikulën e re, Konomi u shpreh se “kurrikula e re bazuar në kompetenca na ka në dhënë mundësinë ne si mësues të jemi pjesë e platformave të ndryshme europiane në lidhje me edukimin. Ia vlen të përmendet metoda e platformës “Tuning” e Europian Schoolnet Academy”.
“Nëpërmjet platformës “Tuning” nxënësit arrijnë të bashkëpunojnë, të bashkëveprojnë me njëri tjetrin në projekte të ndryshme europiane dhe ne mësuesit të bashkëveprojmë me kolegët e ndryshëm europianë në hartimin e planeve të ndryshme mësimore , në planet e ndryshme të projekteve, e cila është risi këto vitet e fundit, pasi Shqipëria ka tre vite që aderon në këtë platformë”, nënvizoi ajo.
Duke folur për risitë e kësaj platforme , mësuesja Konomi u shpreh se “”Tuning”, ne si mësues na mundëson zhvillimin e vazhdueshëm profesional nëpërmjet kurseve online, workshop-eve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, Ia vlen të përmendet kursi i fundit që ne kemi realizuar në këtë platformë “Kompetencat e shekullit 21″”.
“Në fund të këtij kursi është finalizuar hartimi dhe krijimi i planeve tona vetiake në lidhje me një orë mësimore në hartimin e një plani mësimor, të cilët më pas nëpërmjet miratimit të ekspertëve të ndryshëm ndërkombëtarë është miratuar dhe hedhur në faqen më të madhe europiane për edukimin që është “Europian Schoolnet Academy”, duke i vendosur mësuesit shqiptarë në të njëjtin nivel me mësuesit e tjerë europianë dhe për këtë ne duhet të ndihemi shumë krenarë”, theksoi Konomi.
Mësuesja Konomi duke bërë krahasimin me kurrikulën e vjetër , tha se “ne nuk do t’i kishim mundësitë për zhvillimin e vazhdueshëm profesional, nuk do të kishim mundësi të përdornim metoda inovatore në mësimdhënie sikurse është metoda “Mësojmë duke bërë”, “Mësojmë nëpërmjet projekteve””./k.s/ /a.g/























