FRANCË – Macron fillon një plan kundër varfërisë

PARIS, 13 shtator /ATSH-AFP/ – I cilësuar nga kundërshtarët e tij si “presidenti i të pasurve”, presidenti francez, Emmanuel Macron rifilloi sot ofensivën në terrenin social duke shpalosur një plan lufte kundër varfërisë me tetë miliardë euro në katër vite.

“Jemi mësuar shpesh herë me skandalet e varfërisë”, deklaroi shefi francez i shtetit për të shpjeguar se ai kërkon të fillojë një luftë të re, thelbësore dhe jetësore për vendin, atë për të vendosur që të mos harrohet më asnjë njeri.

”Duke prezantuar vetë strategjinë kombëtare të parandalimit dhe të luftës kundër varfërisë, Emmanuel Macron kërkon të thyejë imazhin e presidentit të të privilegjuarve”, sipas opozitës.

Një imazh që ka kontribuar në një rënie të fortë të sondazheve.

Ai i jep gjithashtu garanci krahut të majtë të maxhorancës së tij, që i kërkonte të bënte një kthesë sociale në politikën e tij qeveritare, të gjykuar shumë liberale nga disa të zgjedhur.

“Varfëria nuk duhet të trashëgohet më (…) realiteti është që një fëmije që ka lindur i varfër i duhen 180 vite për të shpresuar që pasardhësit e pasardhësve të tij të arrijnë shtresën mesatare”, theksoi Macron.

Franca numëronte në vitin 2016 rreth 8,8 milionë persona të varfër ose 14% të popullsisë, sipas INSEE.

Në sistemin francez konsiderohen të varfër personat që fitojnë më pak se 1 026 euro në muaj, do të thotë më pak se 60% të së ardhurës mesatare të popullsisë. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.