TIRANË, 11 Shtator /ATSH/ -Bregdeti shqiptar njihet për bukuritë e tij të shumta, të cilat shpesh mbesin në hije nga ndotja e lartë me mbetje urbane.
Në Ditën Ndërkombëtare të Pastrimit të Plazheve, grupimi “Bicycle Durrës” do t’i bashkohet nismës botërore për plazhe më të pastra.
“Ashtu siç kemi bërë këtë verë në plazhin e Rrushkullit dhe të Currilave, le të rikthehemi tek ky i fundit për të pastruar hapësirën ku qindra fëmijë e të rritur zgjedhin të pushojnë, e që shpesh harrojnë detyrën qytetare të pastrimit vullnetar”, shprehen anëtarët e këtij grupimi.
Ata ftojnë të gjithë qytetarët e Durrësit që të bashkohen me ta këtë të shtunë (15 shtator), në orën 10:00, tek “Hotel Aragosta”, për të pastruar vijën bregdetare të Currilave nga mbetjet urbane.
/gj.m/ /a.g/






















