SHKUP, 7 shtator /ATSH-MIA/ – Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz deklaroi sot se BE-ja do të jetë e plotë vetëm atëherë kur në të do të integrohet Ballkani Perëndimor.
Gjatë një vizite zyrtare në Shkup, ai u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin për emrin.
Kurz theksoi se Austria ishte investitori më i rëndësishëm i Maqedonisë si dhe mike e Maqedonisë dhe e gjithë rajonit.
Ai tha se e ndan mendimin se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin e tyre në Bashkimin Europian.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev falenderoi kancelarin Kurz për vizitën e tij në Maqedoni duke theksuar se mbështetja e Austrisë për vendin ka ardhur në periudhën e gjetjes së zgjidhjes me Greqinë për problemin e emrit.
Ai theksoi se me marrëveshjen e arritur në Prespë janë hapur dyert për anëtarësim të plotë të Maqedonisë në NATO dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE./ /os/ a.jor.













