Ballina Ekonomi

Sektori bankar në vend mbetet i qëndrueshëm

– Miratohet Deklarata e Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të 2018-ës –

TIRANË, 6 shtator/ATSH/ – Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi deklaratën dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2018.

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.

Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se “rënia e vlerës së aktiveve në valutë të sektorit bankar për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, ndikoi në tkurrjen e lehtë të vlerës së totalit të aktiveve të sektorit për periudhën në fjalë”.

“Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar. Gjatë periudhës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë”, bën të ditur BSH. /k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSituata në Shkodër, Hodaj: Jo e rënduar, vijojnë operacionet e policisë
Artikulli tjetërBM – Franca, Gjermania, SHBA-ja dhe Kanadaja mbështesin përfundimet e Londrës në çështjen Skripal