TIRANË, 5 shtator/ATSH/ “Shoqëria nuk është e drejtë, kur të varfërit, të sëmurët dhe të pambrojturit nuk kanë dhe nuk ndiejnë mbështetjen tonë”.
Kështu deklaroi sot, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili përkujtoi me një mesazh reflektimi shenjtërimin e Shën Nënë Terezës dhe Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
“Shën Tereza është legacia shqiptare më e madhe dhe më fisnike për qytetërimet e sotme dhe të ardhme; frymëzimi që na mëson dhe na nxit të bëjmë çdo ditë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, u shpreh Ruçi.
Shën Tereza, tha ai, është simboli që na tregon se madhështia është e thjeshtë dhe thjeshtësia është e madhërishme.
“Sot është dita të reflektojmë se fryma e Shën Terezës duhet të përshkojë më shumë frymën e ligjeve tona për zhvillimin social dhe njerëzor, për mbrojtjen dhe shërbimet sociale, për kohezionin social e territorial, për të ndërtuar një shoqëri solidare, me punë e mirëqenie për të gjithë”, përfundon mesazhi i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
/m.m/r.e/






















