Risitë e vitit të ri shkollor, nga “3 lëndë në 6 orë”, tek ndalimi i celularit

TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ Nga nisma “3 lëndë në 6 orë”, te ndalimi i celularit në shkolla dhe vendosja e oficerëve të sigurisë…. Këto janë vetëm disa nga nismat që vijnë si risi, ose janë faktuar si të suksesshme gjatë vitit shkollor që lamë pas dhe do të zgjerojnë zbatimin e tyre në gjithë shkollat e vendit.

Zamira Gjini, drejtoreshë e Arsimit Parauniversitar u ndal sot te ndikimi që kanë pasur këto nisma në komunitetin e mësuesve dhe nxënësve.

Konkretisht për nismën “3 në 6”, sipas saj, është bërë një vlerësim në fillim të procesit dhe në fund të vitit shkollor dhe ka rezultuar se është pritur shumë pozitivisht, ndaj dhe do të vazhdojë të zbatohet.

“Mësuesit shprehen se gjejnë më shumë kohë të zhvillojnë kompetencat sipas kurikulës së tyre dhe për të përdorur teknikat bashkëkohore në klasë, si dhe më shumë kohë për të vlerësuar nxënësin”, tha ajo.

Një tjetër nismë që do të zbatohet në shkollat e vendit është edhe ndalimi i celularëve në shkolla. “Në gusht nxorrëm urdhrin për ndalimin e celularëve në shkolla. Nxënësi është i ndaluar ta marri celularin në shkollë, dhe mësuesi po ashtu. Ky urdhër i veçantë do të vazhdojë me masa më të detajuara dhe sanksione të veçanta për ata nxënës apo mësues që marrin celular në shkollë. Në shkolla do të ketë numra ku prindërit mund të komunikojnë për sigurinë e fëmijës”, tha Gjini.

Vendosja e rojeve të sigurisë në shkolla, një projekt pilot i zbatuar në 15 gjimnaze të Tiranës, sipas Gjinit, u faktua e suksesshme. “Nisma rezultoi në uljen e konflikteve ndaj këtë projekt do ta shtrijmë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Këtë vit e vendosim në të gjitha gjimnazet me mbi 700 nxënës”, tha ajo. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.