Komisioni LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

PRISHTINË, 30 gusht/ATSH/- Komiteti i Parlamentit Europian për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, LIBE, ka miratuar raportin e Tanja Fajon për të proceduar më tej në procesin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhuarata Hoxha, theksoi sot se “komisioni LIBE sapo votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është edhe një hap drejt lëvizjes së lirë, edhe një sukses i përbashkët drejt afrimit me familjen europiane”.

Sipas saj, pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Europian që pitet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e më tej.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së. Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, nënvizoi Hoxha.

Ministrja Hoxha tha se “mirëqenia e qytetarëve tanë është dhe duhet të jetë gjithnjë prioriteti ynë. Qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë”.

Hoxha siguroi se do të ketë transparencë dhe informim me kohë për çdo zhvillim për liberalizimin e vizave./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.