ANKARA – Turqia përkujton Ditën e Fitores

ANKARA, 30 gusht /ATSH-AA/ – Turqia përkujton sot 96-vjetorin e Ditës së Fitores dhe Ditës së Forcave të Armatosura Turke, dita kur ushtarët turq arritën të triumfojnë në një betejë vendimtare ndaj forcave greke në Luftën për Pavarësi.

Në kuadër të festimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan mori pjesë në ceremoninë tradicionale në mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë, në Ankara.

“Sot përkujtojmë me krenari të madhe 96-vjetorin e Fitores së Madhe, që është lajmëtar i pavarësisë sonë. Kjo fitore, e cila është fryt i një lufte epike, pavarësisht varfërisë, vështirësisë dhe mangësive u shënua nën udhëheqjen e kryekomandantit të luftës çlirimtare”, tha Erdogan.

“Populli turk me frymëzimin e marrë ashtu sikurse 96 vite më parë nga sakrificat e dëshmorëve tanë, guximi i veteranëve dhe vlerat mijëravjeçare, edhe sot mbron me jetë të ardhmen e tij. Rritja e kërcënimeve, shkeljeve dhe sulmeve ndaj sovranitetit të vendit tonë në kohët e fundit nuk do të na pengojë kurrë nga idealet dhe qëllimet tona”, shtoi presidenti turk.

Dita e Fitores shënon betejën përfundimtare kundër forcave greke në Dumlupinar në vitin 1922 dhe i dedikohet forcave të armatosura turke./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.