FOKUS – Qeveria britanike kërkon ndalimin e shitjes së pijeve energjike për fëmijët

LONDËR, 30 gusht /ATSH-AFP/ – Qeveria britanike kërkon ndalimin e shitjes së pijeve energjike për fëmijët dhe adoleshentët në Angli dhe njoftoi sot nisjen e një konsultimi publik në këtë drejtim.

Qeveria propozon ndalimin e pijeve që përbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër, si ato të markave ”Red Bull”, ”Monster” dhe ”Relentless”.

Disa shpërndarës e kanë ndaluar tashmë shitjen e këtyre produkteve për fëmijët nën moshën 16 vjeç, por qeveria parashikon që gjithë tregtarët të ndjekin këtë shembull për të luftuar obezitetin tek fëmijët dhe problemet me shëndetin që lidhen me konsumin e tyre (dhimbje koke, probleme me gjumin, dhimbje stomaku dhe hiperaktivitet).

Konsultimi publik do të jetë kryesisht i fokusuar për të përcaktuar nëse ndalimi do të zbatohet për adoleshentët nën moshën 16 vjeç apo nën 18 vjeç.

Më shumë se dy të tretat e fëmijëve të moshës 10 deri në 17 vjeç dhe një e katërta e atyre të moshave 6 deri në 9 vjeç konsumojnë pije energjike. Një kanaçe 250 miligramë me pije energjike mund të përmbajë rreth 80 miligramë kafeinë, e barabartë me tre kanaçe koka-kola dhe mesatarisht me një kanaçe me pije energjike përmban 60% kalori më shumë dhe 65% sheqer më shumë se një pije standarde me gaz, sipas të dhënave cituar nga qeveria.

‘’Mijëra të rinj konsumojnë rregullisht pije energjike, më të shumtën e rasteve pasi ato kanë një çmim më të lirë sesa pijet me gaz’’, thekson kryeministrja Theresa May në një komunikatë për shtyp.

‘’Ne të gjithë kemi përgjegjësinë për të mbrojtur fëmijët nga produktet që dëmtojnë shëndetin dhe arsimimin e tyre’’, u shpreh në të njëjtën komunikatë për shtyp sekretari i Shtetit i ngarkuar për shëndetin publik, Steve Brine.

”Adoleshentët tanë konsumojnë 50% më shumë nga këto pije sesa adoleshentët europianë, dhe mësuesit shohin një lidhje shqetësuese mes pijeve energjike dhe problemeve me sjelljet në shkollë”, shtoi ai.

Ndalimi përfshin Anglinë, kombet e tjera përbërëse të Britanisë së Madhe, Skocinë, Irlandën e Veriut dhe Uellin që kanë kompetencë për hartimin e ligjeve nga ana e tyre në këtë fushë.

Legjislacioni aktual parashikon që të bëhet e ditur në të gjitha pijet me gaz që përmbajnë më shumë se 150 miligram kafeinë për litër përmbajtjen e lartë të kafeinës dhe mosrekomandimin e konsumit për fëmijët.

Për pedagogun Russell Viner, drejtor i Kolegjit Royal të pediatrisë dhe të shëndetit të fëmijës, nuk provohet në asnjë rast që pijet energjike të kenë një vlerë ushqyese apo të jenë pjesë e dietës ushqimore të fëmijëve apo të rinjve.

Tregtimi gjithnjë e më i madh i pijeve energjike dhe dëmi që u shkaktohet fëmijëve dhe të rinjve justifikojnë qartësisht një studim më të thelluar.

Nga ana tjetër Tam Fry i shoqatës ‘’ Action On Sugar’’ që denoncon ndikimin e sheqerit në shëndetin publik e cilësoi paradoksale që qeveria beson se është i nevojshëm konsultimi përpara hartimit të ligjit për çështjen.

Në vazhdën e luftës kundër obezitetit në Britaninë e Madhe në fillim të prillit hyri në fuqi një taksë për pijet me përmbajtje sheqeri. Reklamat për produkte ushqimore me përmbajtje të lartë sheqeri, yndyre apo kripe të preferuarat e fëmijëve janë të ndaluara të transmetohen në televizion, por që prej korrikut të vitit 2017 edhe në internet dhe në media./ /v.b/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.