Agroturizmi, 43 struktura të reja gjatë vitit 2018

TIRANË, 30 gusht/ATSH/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi deklaroi sot gjatë këtij viti janë shtuar 43 struktura të agroturizimit në të gjithë vendin.

Në fjalën e tij gjatë një aktiviteti të zhvilluar sot në Gjirin e Lalzit në Durrës ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministri Peleshi theksoi se “nga viti 2012 deri në 2017 hapeshin nga 2-10 maksimumi, struktura të quajtura agroturistike, sepse në atë kohë nuk ka ekzistuar një standard i mirëfilltë si sot për agroturizmin. Ndërsa këtë vit nga 10 që ishte mesatarja deri tani janë shtuar 43 struktura të agroturizmit”.

“Pra, është katërfishuar numri, kur sapo kemi miratuar një paketë fiskale shumë agresive për agroturizmin kemi ulur TVSH-në në 6%, kemi bërë zero taksën në ndikimin në infrastrukturë dhe nga 15 e kemi ulur në 5% tatim fitimin, apo tatimin mbi fitimin e kompanisë”, nënvizoi Peleshi.

Sipas tij, trendi që krijoi Qeveria ka rritur interesin në agroturizëm.

Sa më shumë agroturizëm, vijoi ai, do të thotë më shumë ekonomi, më shumë hapësirë për të tregtuar edhe prodhimet tona bujqësore, të cilat nuk mund të shiten në ato pak pika grumbullimi që kemi në gjithë Shqipërinë, që mbledhin mallin e shumicës.

Ai tha se duhet të krijojmë edhe një kanal perfekt ku shitet edhe prodhimi i pakët, por me çmim me vlerë të shtuar, siç është është agroturizmi.

Duke folur për sezonin turistik të këtij viti, ministri Peleshi tha se “ky ishte një vit kulmor, është rritur shumë numri i turistëve këtë vit. E rëndësishme për ne është të mos shesim vetëm atë bukuri që na ka dhënë natyra, të mos i gëzohemi turizmit të 2 apo 3 muajve të sezonit të verës, por ta shtrijmë turizmin gjatë gjithë vitit”.

Peleshi theksoi se “ambicia dhe qasja jonë janë për ta shtrirë turizmin në 12 muaj të vitit. Një gjetje besojmë se është agroturizmi, i cili është një mundësi e shkëlqyer edhe për të zhvilluar turizëm alternativ të kombinuar me bujqësinë, prodhimet tipike, artizanale shijen e ushqimeve tona me turizmin masiv, që është ai bregdetar, por edhe turizme të tjera që janë në një trend rritës siç është turizmi i natyrës, i aventurës etj”.

“Ne kemi marrë disa masa këtë vit për agroturizmin, por gjëja më e mirë është që kemi vendosur në fjalorin e politikës dhe qeverisë nga Kryeministri, deri tek të gjithë përfaqësuesit politikë, fjalën ‘agroturizëm’ dhe promovimin e këtij sektori të ri të biznesit”, përfundoi Peleshi. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.