Klosi: Në 5 vite, dyfishuam numrin e turistëve të huaj

TIRANË, 30 gusht /ATSH-Gjergji Mima/ – Në 5 vite është dyfishur numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi në një aktivitet për turizmin në Gjirin e Lalzit theksoi se “1.4 milionë turistë kanë vizituar Shqipërinë vetëm këto 28 ditë të para të gushtit, duke shënuar për momentin 4 milionë e 261 mijë turistë këto 9 muaj. Një rritje shumë e madhe krahasuar vetëm me një vit më parë”.

“Kemi arritur në këto 5 vite të para të qeverisë tonë të dyfishojmë numrin e turistëve të huaj të hyrë në Shqipëri. Objektivi ynë padyshim është që të arrijmë në 10 milionë turistë deri në vitin 2025, padyshim shumë shpejt në një progresion të rritjes së numrit të turistëve të ardhur me më shumë se kaq, me shërbimet që ne ofrojmë për turistët”, – u shpreh Klosi.

“Gjatë gjithë këtij sezoni turistik jemi përpjekur për të afruar jo vetëm turizmin e detit dhe rërës, por edhe diversifikimin e ofertës me atë të mikpritjes shqiptare”, – tha Klosi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.