Ballina Kosova

Thaçi për “Der Standard”: Kosova nuk do të ndahet, e vetmja rrugë dialogu

PRISHTINË, 27 gusht/ATSH/- Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, theksoi se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të përfshijë njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve.

Në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, Thaçi shprehet se ideja për korrigjimin e kufijve me Serbinë deri tani nuk ka qenë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Sipas tij, e vetmja rrugë është të vazhdohet dialogu, pasi pa një marrëveshje, ne do të pengojmë njëri-tjetrin në rrugën drejt BE-së.

Vërtetë a ka një një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës dhe a duhet që Serbia në mënyrë eksplicite ta njohë Kosovën si shtet i pavarur?

Çdo marrëveshje ka kuptim vetëm nëse vjen deri te njohja dypalëshe dhe Kosova të bëhet anëtare e plotë e komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara.

Bisedimet duhet të jenë përparuar dhe ju duhet të keni biseduar tashmë me presidentin Vuçiç për plane konkrete për korrigjim kufijsh. Sa për qind të marrëveshjes e keni arritur deri tani?

Kanë kaluar pesë, apo gjashtë vjet që kur filluam këtë dialog me Serbinë. Tani kemi hyrë në fazën finale të këtyre bisedimeve. Deri më tani kemi folur vetëm për procesin, por jo për detajet. Ideja e korrigjimit të kufirit është e imja. Edhe ideja e përfshirjes se Preshevës dhe komunave të tjera shqiptare si Bujanoci dhe Medvexha është, po ashtu, nga unë, por deri më tani nuk ka qenë objekt i bisedimeve me presidentin Vuçiç. Por, do të flasim edhe për këtë. Dua të jem racional: Ka dallime të mëdha, por e vetmja rrugë është të vazhdohet dialogu. Pa një marrëveshje, ne do të pengojmë njëri-tjetrin në rrugën drejt BE-së.

Çfraë prisni nga vizita e presidentit Vuçiç në veri të Kosovës?

Kosova nuk do të ndahet, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve dhe unë deri më tani nuk kam dëgjuar që ai të ketë propozuar diçka të tillë. Kosova do të ruajë frymën shumetnike. Ne nuk duhet të jemi peng të kufijve të vendosur gjatë Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia nuk ekziston më. Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj: Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Prandaj, askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ministria e Brendshme e Austrisë po vonon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. A keni një shpjegim për këtë?

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Pres një zhvillim pozitiv në këtë çështje edhe nga kancelari austriak Kurz me të cilin tashmë kemi folur për këtë çështje./RTK/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakElbasani, qyteti që ruan kullën e Sahatit
Artikulli tjetërVATIKAN – Papa Françesku: Migrantët e “Diciotti”-t duhet të integrohen