VATIKAN – Papa Françesku: Migrantët e “Diciotti”-t duhet të integrohen

VATIKAN, 27 gusht /ATSH-ANSA/ – Papa Françesku foli sot për krizën e migrantëve të anijes “Diciotti” gjatë fluturimit të tij nga Dublini për në Romë si dhe për pritjen e migrantëve në përgjithësi duke thënë se është më mirë të mos marrësh, nëse nuk je në gjendje t’i integrosh.

Papa theksoi se “duhen mirëpritur në një mënyrë të arsyeshme dhe nëpërmjet integrimit”.

“Të qenurit i kujdesshëm është virtut i qeverisjes. I kujdesshëm në shifra dhe mundësinë për integrim. Është më mirë për një popullsi që nuk mund të integrojë, që të mos marrë. Metodologjia është dialogu. Është e nevojshme të vazhdohet, një zgjidhje do të gjendet”, tha ai duke iu referuar Europës.

Përsa i përket fatit të 137 migrantëve që zbarkuan dje nga anija e rojes bregdetare italiane “Diciotti”, ai tregoi se si kisha italiane kishte pranuar që të priste shumicën e migrantëve.

“Ata do të fillojnë të mësojnë gjuhën dhe do të jenë migrantë të integruar”, tha papa.

”Mos ua lini migrantët trafikantëve”, deklaroi papa Françesku duke theksuar se kishte parë një video ku tregohej se çfarë u ndodh atyre që dërgoheshin pas dhe rimerreshin nga trafikantët.

”T’i kthesh ata pas? Është e nevojshme që të mendohet mirë, mirë, mirë”, theksoi ai./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.