Kisha e Shën Prodhomit në Voskopojë do të restaurohet

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ – Kisha e Shën Prodhomit është një nga atraksionet më interesante të Voskopojës, e konsideruar një momument i rëndësishëm jo vetëm si përfaqësuese e kohës kur është ndërtuar (shek. XVII), por edhe për elementët arkitektonikë të saj.

Kushdo që viziton Voskopojën ka të përfshirë në itinerar edhe një vizitë pranë kësaj kishe, por edhe të tjerave që ndodhen në këtë zonë.

Kjo kishë së shpejti do t’i nënshtrohet restaurimit, pasi Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për “Restaurimin e çatisë së Kishës së Shën Prodhomit”, Voskopojë.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë parashikon restaurimin e çatisë së kishës, zëvendësimin e patavrave të degraduara dhe të shtresës hidroizoluese.

Sipas IMK-së, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë ka filluar procesin e restaurimit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje tjetër, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kisha e Shën Prodhomit u ndërtua në vitin 1632 dhe u pikturua në 1659. Ajo është monument i trashëgimisë kulturore i llojit “Arkitekturë”, i miratuar me numër “586 e 4874” më “17.03.1948 / 23.09.1971”. Kisha ndodhet brenda manastirit me të njëjtin emër, i cili përmban pjesën e kishës dhe dy ambiente të tjera që kanë qenë objekte shoqëruese të manastirit.

Afresket e kishës janë të ruajtura mirë dhe ka elemente me dekoracion tulle të veçantë.

Kisha e Shën Prodhomit ka arkitekturë të stilit bizantin në formë kryqi, e përbërë nga narteksti i thjeshtë, katolikoni në trajtë qemerësh me ndriçim të pamjaftueshëm me kube në gjysmërrethi.

Ajo ka një organizim planimetrik vëllimor më të zhvilluar se kishat e tjera të kësaj kategorie. Kisha ka qenë e pajisur me dy kupola me tambur poligonal me nga tri dritare të ngushta në çdo dy faqe.

Muret e anëve veriore, perëndimore e jugore të narteksit janë rindërtuar sërish, kështu që prej nartekstit fillestar të ndërtesës së kishës qëndorn vetëm muri lindor. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.