PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/- Presidenti Hashim Thaçi përkujtoi sot ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin, duke u shprehur se ai do të mbahet mend për kulturën e lartë demokratike, shpirtin tolerant, frymën fisnike dhe modestinë njerëzore.
“Dje u bë një vit nga vdekja e ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, që prapa vetes la një trashëgimi të pasur si humanist, doktor i luftës, lider politik, kryeministër dhe bartës i funksioneve të tjera të larta shtetërore. Ish kryeministri Bajram Rexhepi do të mbahet mend për kulturën e lartë demokratike, shpirtin tolerant, frymën fisnike dhe modestinë njerëzore, si vlera që i reflektoi dhe i shpërndau me të tjerët, qoftë para luftës, gjatë viteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe në kohën e rindërtimit të Kosovës. Jemi krenarë që Kosova ka dhënë një profil politikani dhe burrështetasi si Bajram Rexhepi”, thekson Thaçi.
Ish- kryeministri kosovar, Bajram Rexhepi ndërroi jetë në 21 gusht 2017, pas një sëmundjeje./k.s/























