ATHINË – Cipras: Greqia po merr sërish fatin e saj në dorë

ATHINË, 21 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh sot i entuziazmuar në një mesazh televiziv të përcjellë nga ishulli i Itakës, simbol i rrugëtimit të gjatë të Uliksit, se Greqia po rimerr sot në dorë fatin e saj.

”Me shpresën për të shënuar ditën e parë të një epoke të re të vendit tonë, i lehtësuar nga planet e ndihmës ndërkombëtare dhe monitorimit prej tetë vitesh nga ana e kreditorëve”, tha ai.

Ai e cilësoi si “një ditë historike” përfundimin zyrtarisht më 20 gusht të programit për paketën e shpëtimit.

“Kemi humbur 25 për qind të të ardhurave tona kombëtare, 3 në çdo 10 persona dhe 6 nga 10 të rinj mbetën pa punë. Është zbatuar një masë shtrënguese prej 65 miliardë eurosh”, tha Cipras.

Duke vënë në dukje se i kanë lënë pas masat shtrënguese dhe rënien ekonomike, ai tha se nuk do të harrojnë se për shkak të kujt dhe për çfarë arsyesh kanë qenë të detyruar të përballen me kriza financiare dhe paketat e shpëtimit.

Ai bëri të ditur se sot kanë arritur me sukses të dalin nga paketa e shpëtimit me udhëzimet që kanë marrë nga populli.

Kryeministri grek theksoi se do të nisin një periudhë të re pa harruar gabimet e bëra në të kaluarën.

“Kemi mbërritur në vendin ku do të mbërrinim, kemi dalë nga memorandumi. Por, ne nuk do të ndalemi këtu, përpara ne kemi sfida të reja”, tha kryeministri grek.

Aleksis Cipras zgjodhi Itakën në detin Jon, pikën e nisjes dhe të kthimit të Uliksit në Odisenë e Homerit, për të njoftuar fillimin e dite të re për Greqinë. Një ditë historike që shënon fundin e politikave të masave shtrënguese dhe recesionit./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.